RRETH NESH

QTATD (Akademia) siguron formimin profesional të administratës tatimore dhe doganore, i cili përfshin trajnimin:

  • Në periudhën e provës.
  • Për zhvillimin e karrierës.
  • Për përshtatje profesionale, në rastet e ndryshimit të kërkesave të vendit të punës, sipas ligjeve të fushës.
  • Me karakter të posaçëm për kryerjen e detyrave të veçanta.
  • Për zhvillimin e njohurive profesionale.

 

Trajnimi pranë Akademisë është i detyrueshëm për të gjithë punonjësit e këtyre administratave. Kurset organizohen për punonjësit në periudhë prove,si dhe në vazhdimësi për punonjës të tjerë, sipas një grafiku të hartuar në përputhje me listat emërore të paraqitura nga drejtoritë përkatëse. Gjatë kohës së trajnimit nëpunësi merr pagën e plotë. Në përfundim të çdo kursi, organizohet provimi i vlerësimit të dijeve të marra. Vlerësimi i dhënë në përfundim të provimit bëhet pjesë e vlerësimit vjetor të të punësuarit në administratën tatimore apo doganore. Punonjësit në periudhe prove, të cilët nuk kalojnë provimin e vlerësimit të organizuar pranë Akademisë, nuk konfirmohen për përfundimin me sukses të periudhës së provës.

Bordi, në përputhje me natyrën e Akademisë dhe për çështje të lidhura me objektin e punës së Ministrisë së Financave dhe të organeve, në varësi të saj, mund të vendosë edhe organizimin e programeve të tjera me karakter fakultativ. Këto programe nuk janë të detyrueshme dhe mund të ndiqen nga persona, që dëshirojnë të bëhen pjesë e administratës tatimore apo nga nëpunës të administratës shtetërore, të cilët dëshirojnë të thellojnë njohuritë në fusha specifike tatimore apo doganore. Trajnimi mund të organizohet pranë Akademisë apo në mjedise të tjera të organizuara në bazë qarku, në të gjithë Shqipërinë.